sabato 26 aprile 2014
sabato 19 aprile 2014
Ne kurvat e gjimnazit
Po, ne ishim të gjitha kurva, edhe pse shumica ishim të
virgjëra.
Madje edhe Anila, fqinja dhe shoqja ime e bankës, që ende nuk i kishin ardhur
menstruacionet, ishte kurvë. Dikush e kishte parë tek fliste te cepi i pallatit me Ilirin,
të birin e shitëses së bulmetit, në një afërsi jo të pranueshme për
vajzat e moshës sonë me djemtë, aq më tepër kur ishin më të rritur, si puna e
Ilirit, që sapo e kishte mbaruar gjimnazin e ndihmonte të ëmën në dyqan derisa t’i dilte e drejta e
studimit, nëse kjo do të ndodhte vërtetë në gusht.
E drejta e studimit të dhurohej
nga Komiteti i Partisë së Rrethit dhe ky ishte nderi me i madh që Partia e Punës po të besonte në atë kohë. Iliri, nëse Partia do ta kishte
vlerësuar, do të shkonte në Tiranë, ku do të studionte në Degën që Komiteti kishte menduar se ishte më e përshtatshmja për të. Syrit vigjëlent të Partisë
nuk i shpëtonte asgjë, ndaj edhe Iliri kur e pyesnin se për çfarë donte të
studionte, përgjigjej prerë, ‘ata e dinë’ dhe shikonte majat e sandaleve nga
ku dy gishtat e parë i preknin tokën, si për të protestuar ndaj rripave të
ngushtë të plastikës që ndrydhnin këmbët e tij.
Anila ishte pak më
shumë e padjallëzuar se ne të tjerat e kjo vërehej sa t’i
hidhje sytë mbi gjoks, ku nuk kishte asnjë shenjë përpjekjeje për të nxjerrë
kryet. Atë ditë i kishte kërkuar Ilirit librat e vjetër, të cilat
tani me siguri që nuk i duheshin më. Ajo ishte fëmija e parë e pesë
fëmijëve
të
familjes që jetonte një kat poshtë meje. E ëma i punonte si rrobaqepëse, ndërsa
i ati ishte në pension invalidi, ishte dëmtuar rëndë në minierë e kishte mbetur gjysmë i paralizuar. Dukej që atyre fëmijëve iu mungonin shumë më tepër
gjëra se ne të tjerëve. Jo që ne kishim sa të na tepronin, përkundrazi, nuk na
tepronin kurrë, por ne edhe mund të mernim bukë me vezë të skuqura në
eskursione, Anila… ah, Anila, zakonisht merrte bukë të thekur me dy pika vaj përsipër
e ca kripë. Ndonjehere edhe ndonjë cope djathe.
Thoshte se kripa të forconte
kockat dhe ajo ishte e detyruar të mbante këtë regjim të ashpër për arsye se
kishte mbetur më e vogël në trup. Në
fakt në shtëpi e quanin Micka, po kështu edhe neve në lagje, por në shkollë
Anila këmbëngulte se emri i saj ishte Anila, ndaj unë sa herë më shpëtonte goja
e filloja Mi, e përtypja rrokjen shpejt e me siklet dhe e thërrisja Aniii. Kur
ajo çelte sytë e kaltër nën ca qerpikë sterrë të zinj, mua më dukej sikur Anila
ma kishte falur menjëherë rrokjen e ngrënë, sapo kishte dëgjuar tjetrën, që fillonte lehtë prej qendrës së gojës së hapur
maksimalisht pa asnjë tension me tingullin [a], pastaj bëhej e lëngësht në [n] e më në fund mbyllej më një [i] të përparme, të cilën unë e
zgjasja me përkëdheli.
Shkurt, Anila atë ditë ishte këmbyer
me Ilirin që po i shpinte në dyqanin e së ëmës dy arka me shishe qelqi dhe
një kovë plastike mbi to. Ishte përplasur padashje, mu te cepi i pallatit me
Anilën mickën, e cila kishte goditur ballin te arkat dhe kishte mbetur si e
ngrirë në vend për pak çaste. Kova ishte rrëzuar dhe kishte marrë
rrokullimën teposhtë rrugicës së kalldrëmtë. Iliri kishte lëshuar menjëherë dy
arkat në tokë dhe ishte munduar të qetësonte Anilën. Ashtu kishin mbetur për pak
minuta, thuaj të përqafuar, pastaj ishin ulur mbi arka dhe kishin biseduar.
Pasi ishte qetësuar dhe Anilës i kishte pushuar gjaku nga gërvishja e lehtë në
ballë, ajo e kishte pyetur Ilirin nëse i kishte ende librat e vitit të tretë
dhe, nëse nuk i duheshin, mund t’ia jepte asaj për vitin që vinte.
Iliri ishte menduar pakëz, pastaj
i kishte thënë që, edhe nëse nuk i kishte të gjithë librat, do t’i kërkonte nëpër
shokë e do t’ia jepte Mickës. Gjithashtu do t’i jepte edhe gjithë shënimet e
matematikës e fizikës që kishte mbajtur në gjashtë blloqe nga të mamasë që ia
jepnin në punë, për gjatë dy viteve të fundit të shkollës. Anilës do t’i
ndihmonin shumë, veçmas për provimet. Gëzimi i saj ishte i papërshkrueshëm,
jo vetëm po e kursente familjen nga blerja e librave, por do kishte edhe gjithë
ushtrimet e provimeve për dy vitet e ardhshme.
Këtë gëzim, thuaj lumturi të saj
e kishte parë nga dritarja Nerimanja, infermierja e lagjes, që nuk i mbyllej
goja tërë ditën. Për një javë të tërë Nerimanja e kishte stërholluar lumturinë
e Anilës te çdo pacient që e kish mjekuar, aq sa një ditë, te muret e pallatit,
sa dolëm me vrap në mëngjes për të shkuar në shkollë, mbetëm pa mend.
Anila kurva. Anila dashnorja e
Ilirit. Micka ia jep Ilirit të madh.
Ç’ishte ky tmerr?! Ato shkronja të
shtrembra dhe aq të pista, të shkruara me një laps kopjativ të shtrënguar fortë
mbi murin e lyer para dy muajsh, që na kishte rënë pastaj bretku duke pastruar
gëlqeren për një javë të tërë, ishin aq të pamëshirshme me atë madhësinë e tyre
që të kallte datën. Shumë shpejt do dilnin të gjithë nga dyert dhe ja këtu, mu në
koridorin përballë shkallëve do të shikonin këto shkronja përbindëshe. Boboo,
ç’na gjeti!
Po Anila?! A do ketë shkuar në
shkollë? Ajo gjithmonë nisej para meje, se shoqëronte dy motrat në ciklin e ulët. Nuk ma bëri zemra të trokisja te dera e saj.
U nisa për shkollë me shpresë se Anila do të ishte nisur para se
shkronjat përbindëshe të ishin ngjitur në mur.
Vrapova me sa fuqi kisha. Rrugës i lutesha fatit që të ishte, të paktën
këtë herë, ashtu si e mendoja unë. Anila të ishte nisur para shkronjave. Kur të
ktheheshim nga shkolla, dikush do t’i kishte fshirë ato përbindëshe që na rëndonin
mbi gëlqeren e re. Kur arrita te dera e
klasës, vëç e ndieja trupin që nuk m’i duronte më rrobat. Para se të hapja pak përparësen e zezë të shkollës që mamaja e Anilës ma kishte qepur me pulla përpara,
hapa derën me shpejtësi.
Banka ime ishte bosh. I dynda sytë
drejt fundit të klasës ku ishte një turmë vajzash që qeshnin, por Anila nuk
ishte mes tyre. Nga njëra anë u gëzova. Ato vajza m’u dukën si korba të zgërlaqura
mu në pikë të mëngjesit. Shikova edhe një herë nëpër korridorin e shkollës.
Anila nuk ishte.
Në fakt Anila nuk erdhi atë ditë
në shkollë. Mezi prisja ta mbaroja mësimin. Banka pa Mickën më dukej shumë e
madhe. Sigurisht ajo kishte lexuar çdo gjë. Pastaj ishte kthyer mbrapa nga
turpi. Motrat do të kishin shkuar vetë në shkollë. Asnjë nga ato nuk e kishte
emrin Anila. As unë. Në fakt asnjë tjetër në pallat nuk e kishte emrin Anila.
Vetëm ajo, Micka. Pastaj për punën me Ilirin më kishte treguar vetë. Ato fjalë
të tmerrshme ishin vetëm për atë.
Gjatë orës së matematikës nga
mbrapa dëgjova Suzanën që i pëshpëriste Agronit ‘Epo kujt ia merrte mendja që
edhe Micka të kishte dashnor?. ‘E vogël e vogël, po sherrin të madh’ ia ktheu
ai. U ktheva instiktivisht mbrapa tërë inat. Doja t’jua kapja ato fjalë e t’jua
gjuaja kokës. Sa të këqij jeni që flisni këto gjëra? Pse bëni sikur nuk e
njihni Anilën? Por nga mbrapa u dëgjua tok-toku i matematikës. Ai e kishte zakon
të godiste tavolinën sa herë dikush pëshpëriste e nëse nuk e merrje mesazhin,
ai tok-tok të vinte mu mbi krye.
Pushimi i madh ishte edhe më i
tmerrshmëm. Anila nuk ishte këtu, por emri i saj ishte në thuaj çdo gojë që nyjëtonte
tinguj ligjërimorë të kuptueshëm. Për fatin tim, më të kuptueshëm kurrë s’kishin qenë. Ishte e
kotë të provoje të diskutoje. Turma do të të hidhte mu në plehëra sa ora, nëse
nuk ia mbaje ritmin. Më mirë të heshtja e të bëja sikur nuk kuptoja asnjë nga
ata tinguj që më sëmbonin nga të gjitha anët.
Si mund të fliste kështu edhe
Valmira? Atë vetëm para tri javësh disa djem e gjuanin me gurë nga mbrapa kur
kthehej nga shkolla. Ti moj, dashnore e Nexhatit, mos bëj sikur nuk kupton, me
ty e kemi. Valmiraaaa. E Valmira nuk bënte vetëm sikur nuk kuptonte, por edhe
sikur nuk dëgjonte e vetëm fliste më zë të lartë me shoqet e saj, si për ta
mbytur zërin e atyre djemve që na prisnin në të dalë të shkollës. Ah sikur
edhe tani Valmira të bënte sikur nuk dëgjonte
apo sikur nuk kuptonte. Do të ishte një gojë më pak në këtë lajthitje që
ka marrë hov nga vetëm ca fjalë të shpifura që dikush i hodhi në erë.
Ç’të ishte kjo marrëzi gojësh që
nuk arrinin të gjenin një fre diku? Më tutje ishte Pranvera. E kishin fejuar që
në fund të vitit të parë me një djalë që punonte në minierë. Ajo ishte eksperte
për çdo histori dashurie që ndodhte në shkollë. Si të them, ajo jepte e sigurt
mendimin e saj e madje këshillonte se cilët mund të ishin çiftet e mundshëm në
shkollë. Kush me kë ishte më afër. Mjerë, mjerë kush binte në gojën e saj, se
pa ta nxjerrë mirë bojën, nuk të lëshonte nga goja. Për çudi, të gjitha i
bindeshin fjalëve të saj. Ishte një lloje kryetareje e zgjedhur unanimisht në
heshtje.
Pranvera ishte e vetmja që e
pranonte që bënte seks. Lum ajo që është e fejuar, tha një ditë Drita. Pse? iu
përgjigja unë. Ja moj, bën çfarë të dojë, vishet si të dojë, rri me kë të doje
e askush nuk flet keq për të. Shiko ti ç’bluhet nëpër shkollë.
Drita kishte të drejtë. Çdo javë
njëra nga ne do ishte protagoniste e serisë së pafundme të vajzave që iu merrte
koka erë. E kjo dreq ere dukej të ishte epidemi që sillej e pshtillej e fap e
zinte ndonjë përfundi. Unë e kisha kaluar vitin e kalur. Taulanti ishte djali që
ma luante zemrën, por nuk guxoja as t’ia përmendja dikujt. Edhe pse ishte e kotë.
Syrit të Pranverës nuk i shpëtonte asgjë. Ajo me imtësi ndiqte çdo shikim të
timin e disa herë në ditë më gjente mu te Taulanti. Kjo e lumturonte pa masë,
sa një ditë nuk duroi më dhe këtë lumturi ua shpërndau edhe të tjerëve. Brenda
pak orësh, unë isha shpallur e dashura e Taulantit. Edhe pse më vinte mjaft në
siklet kjo gjë, hallin s’e kisha aty.
Por te ndryshimi i menjëhershëm i sjelljes së Taulantit ndaj meje. Ai
filloi mos të më fliste më e të më largohej si ndaj dreqit. Më shtrëngonte aq
fort në gjoks kjo punë, edhe pse një zbrazëti të madhe ndjeja aty brenda, por
nga ana tjetër m’u kompesua disi, pasi shpejt fjalët për mua u harruan. Në klasën
tjetër kishin kapur në flagrancë njërën me punëtorin e mirembajtjes së shkollës.
Ah, kjo ishte vërtetë e madhe. U bë mbledhja e këshillit të shkollës dhe vajzën
e përjashtuan njëzëri nga shkolla për sjellje të ulëta. Ndërsa me punëtorin nuk
u morën fare. Atë ia dërguan menjëherë Degës së Punëve të Brendshme e që aty iu
caktua direkt dita e gjyqit publik. Të gjitha ne do ta dëgjonim me veshë nga
megafonat që vareshin në çdo qoshe përpara kinemasë si kishte ndodhur vërtetë
historia, si kishte filluar, sa kohë vazhdonin takimet e tyre të fshehta mu përpara
hundës sonë e çfarë bënin detajisht.
Kjo e fundit pak m’i skuqte
faqet. E ndieja vërtetë atë cipë nxehtësie se si ma merrte fytyrën e pastaj me
një shpejtësi të pakontrollueshme zbriste të fshihej drejt gjoksit. Të paktën
aty nuk e shihte dot njeri. Nuk dija në e nënçmoja më shumë atë vajzë për
turpin e madh që kishte bërë apo e xhelozoja brenda teshave të mia. Kjo do të
ishte një tjetër dilemë mes meje e meje për të cilën nuk do të flisja kurrë me
askënd. Qyteti im nuk i duronte dilemat. Këtë e dija mirë.
Po Micka, a po luftonte edhe
Micka tani me dilemat e saj? Pse e takoi Ilirin? Pse u ul të bisedonte me të?
Pse mori guximin t’ia kërkonte librat? Pse dreqin kaloi aty në atë kohë e nuk
ndenji të mbaronte ushtrimet e kimisë? Pse ta kishin marrë aq për të keq atë
takim aq më tepër kur ajo nuk kishte ndjerë asnjë lloj nxehtësie në atë kohë përveç
dhimbjes së përplasjes në ballë?
Nuk pata guxim të trokisja te dera e Mickës kur u ktheva nga
shkolla. Nuk e përballoja dot shikimin dëshpërues te babait të saj, nuk e
shikoja dot Mickën në fytyrë, me dukej vetja tradhëtare që kisha dëgjuar gjithë
ato fjalë jashtë në heshtje të plotë. Atë mbasdite nuk dola gati fare nga dhoma
ime. Për fatin edhe ime ëmë punonte ndërrimi i natës në furrë e askush nuk ma
kishte ngenë. Shikoja herë pas here nga ballkoni mos po shihja ndonjë gjë nga
dritarja e dhomës së Mickës, por drita qëndronte e fikur dhe dukej sikur askush
nuk ishte brenda. Rreth mbrëmjes zbrita shkallët e pallatit dalë nga dalë dhe u
afrova te dera e Mickës. Edhe po ta hapte dikush derën do të thosha se kisha
ardhur për t’i dhënë detyrat asaj. Afrova faqen lehtë. Të ecura nëpër koridor
dhe zërat e motrave të vogla që grindeshin me vëllain. I ati, me atë zërin e
qetë e shumë të lodhur, që i luste për qetësi. Nga Micka asgjë. U ngjita sërish
në shtëpinë time. Ndeza radion e shëtisja nëpër stacione sa për të bërë zhurmë.
Diku flitej për luftën në Palestinë. Vajta të merrja hartën e ta shikoja mire
ku ndodhej e si mund të bëhej gjithë ajo
luftë e palodhur brenda të njëtit qytet.
Nga qyteza ime kjo dukej e vështirë
për t’u imagjinuar. Ne njiheshim të tërë e ishim aq të thjeshtë sa fjalët
shpesh ishin të tepërta për t’u marrë
vesh me njeri-tjetrin. Mjaftonin sytë e shpesh edhe falë tyre na zhvishnin përballë
të tjerëve. Unë kisha filluar të isha më e kujdesshme me sytë e mi. Kisha mësuar të mos i hidhja kudo. Të paktën
pa qenë e sigurt se askush nuk po më shikonte.
Ndërsa kërkoja të kuptoja ndarjen
mes Izraelit e Palestinës u dëgjua një e trokitur e fortë në derë. Vrapova me
zemër të ngrirë. Pas derës ishte vëllai i vogël i Mickës me sy si të shqyer.
‘Zbrit shpejt, tha babi. Shpejt te ne! Vesha një palë nallane që mbanim jashtë
te dera e i zbrita shkallët dy e nga dy. Dera ishte tej për tej e hapur dhe këmbët më
shpunë drejt te dera e Anilës. E ëma e mbante në krahë dhe e shkundtte nga të
gjitha anët. Anilaaaaa
Ishte pa ndjenja. Shpejt ta çojmë
në spital! Ka pirë ilaçet e të atit. Qyqja unë për time bijë! E morëm me një
batanije pambuku dhe u nisëm me vrap për në spital. Për fat qyteza ishte shumë
e vogël e spitali ndodhej një kilometër afër. Rrugës na u afruan disa burra dhe
na e morën Mickën nga duart pa na pyetur fare. Unë ia krisa vrapit të mbërija e
para që të lajmëroja për rastin. Një nallane veç më kishte rënë gjatë rrugës, kështu
që edhe tjetrën e kisha lëshuar menjëherë në tokë. Zbathur vrapoja më shpejt.
Te dera e spitalit i thashë rojes
‘Urgjent, po vjen një vajzë e helmuar’. Ai ma bëri me shenjë të shkoja pas tij
e më shpuri drejt te zyra infermierisë.
‘Urgjent, po vjen një rast me
helmin! U tha dy bluzave të bardha që kishin vënë këmbët të ngroheshin te një
furnellë e vogël elektrike.
‘Po, është Mi.. Anila, komshija
ime, tani do jenë te porta duke e sjellë.’ Shtova unë dhe fjala më mbeti në
grykë kur pashë fytyrën e infermieres. Ishte ajo. Nerimanja.
Të nesërmen, gjithë qyteti ishte
për vizitë në pallatin tonë, gjithë shkolla, vajzat e klasës, të cilave si
gjithmonë u printe Pranvera, për t’i dhënë lamtumirën e fundit Mickës që s’pati
kohë të rritej. Mes tyre edhe Nerimanja me rroba sterrë të zeza kokë e këmbë.
Iscriviti a:
Post (Atom)