sabato 26 aprile 2014

Paja

Paja

      Unë nuk kam humbur ndonjë gjë të madhe në luftë. Nuk kam ndonjë arsye të fortë t’i urrej ushtarët që na dëbuan nga shtëpia. A është moshumbja arsye për mosurrejtje? Nuk e di. Po unë ndoshta e kam humbur urrejtjen atë natë ...
Meqënëse unë i përkas periudhës Para dhe në atë kohë ne vajzave na përgatisnin pajë para se të martoheshim, kësaj paje nuk i shpëtova dot as unë. Edhe pse më dukej një zakon kokëfortë që s’pyeste aq për tekat e mia. Kështu tezet u vunë të ma qëndisnin pajën për qindra netë me radhë. Me grepat e tyre, bashkë me fijet e arit, ato thurnin  mijëra ëndrra me të cilat qendisnin këllëfët e jastëkëve, çarçafët, këmishat e natës … të cilat unë nuk do t’i vishja asnjëherë.
       Për të më shpëtuar nga ëndrrat e tezeve, të trishtuara nga martesat e tyre të thurura po me aq mjeshtëri nga fisi, menduan shkijet. Ata erdhën një natë të qetë prilli në shtëpi dhe na përzunë shpejt të gjithëve si bagëtinë prej stalle kur bije zjarr në kashtë. Dhe vërtetë, kur ishim nja peseqind metra larg shtëpisë, ktheva kokën mbrapa dhe pashë se në shtepinë tonë, ku kishim vetëm dy javë që kishim hyrë, kishte rënë zjarr i madh. Më shkoi mendja te paja ime që ishte ende nëpër valixhe e kuti katroni. Kushedi se çfarë ngjyre do ta kishin bërë flakën çarçafët me mëndafsh të kaltër. Po të gjelbrit?
Megjithatë falë ushtarëve ne arritëm të shpëtonim kokat. Kjo ndjenjë e të mbijetuarit më dha një forcë të pashpjegueshme saqë këmbët e mia ecnin vetë, pa pritur fare komandën e mendjes, e cila duket se ende kishte mbetur te paja e shpërndarë nëpër flakë. Me një trokth të shfrenuar këmbësh ne kishim kaluar disa kilometra derisa të këndelleshim pak e të kujtoheshim se nata ishte më e ftohtë nga sa na dukej. Duhej të ndaleshim diku.
Nejse, ikja jonë e asaj nate prilli nuk ishte veçse një ikje banale nga shtëpia për të shpëtuar kokën nga zjarri. Nuk ka aty ndonjë histori ekzekutimi të burrave para syve tanë, as rrëmbim të kushërinjve për t’i hedhur nëpër kamionë si qengja dy ditë para Bajramit, as nuk ka ndonjë dhunim të tri grave të shtëpisë. Unë, 23 vjeçare, kunata, 26, dhe vjehërra, 49. Jo, asgjë nga këto nuk ndodhi.
         Kunati fliste shumë mirë serbisht dhe vjehërri kishte palosur në xhepin e brendshëm të fanellës së leshtë  aq qindëshe markash për kokë sa të na blente në çdo rast kontrolli gjatë rrugës. Dy djemtë e kunatës, Albinin 7 muajsh dhe Egzonin 2 vjeç, i kalonim me radhë nga një krah te tjetri. Për fat, gjithë shqetësimi i kunatës se Egzoni nuk hante mirë ushqim dhe kish mbetur i dobët, tash na dukej një lehtësim. Egzoni rëndohej pak më shumë kur e zinte gjumi, ndryshe ai dukej një qengj i butë që të ngrohte kraharorin me ato kaçurrelat e bardha kur i mbështeste në gjoks.
            Nga ajo udhë mbaj mend se dikur vjehërri më tha të pija një hap. Më kujtohet që nuk kisha fuqi të pyesja çka ishte. E shtyva me një gëllënjkë ujë që kishte gjetur diku, nuk e di ku, dhe më kujtohet fort mirë, si sot më kujtohet se më zuri gjumi. Një gjumë i thellë sa ende nuk më hiqet nga mendja.
Po, po, ende më kujtohet ai gjumë. Nuk arrija t’i çelja sytë. Ose nuk doja. Brenda tyre ishte im shoq ashtu si nuk kishte qenë kurrë në të vërtetë.   Ishte im shoq ashtu si e doja unë që nga hera e parë kur u takova me të.
Ja, unë isha me Selvinë në një kafiq dhe ai na u afrua me një shok me dy birra të ftohta ‘Për dy vajzat më të bukura!’. Pastaj ma zgjati krahun e djathtë rreth qafës. Ndjeva parfumin e tij që i vinte era pastërti. Ishte si një oaz freskie në gjithë ato shtëllunga tymi duhani që silleshin nëpër sallë. Mua më pëlqente që herë pas here të mbaja kokën aty, mu te gjoksi i tij. Ai më shtrëngonte ngadalë pranë vetes. Muzikën nuk e dëgjoja më. Zëri i tij më ish ngjitur fytyrës.
    Duro! Edhe pak. Edhe pak do dalim që këtu. Do jemi vetëm ne të dy dhe qielli i pastër. Edhe pak! Edhe pak! Edhe pak zemër!
Një dorë ujë i ftohtë m’u përplas fytyrës. Sytë m’u çelën vetë. Përballë ishte vjehërri. Sytë e kuq të fryrë nuk i lëshonin asnjë lot. Çohu Venerë! Çohu bijë! Edhe pak mbërrijmë te kufini.
Nuk di në ishte mbasdite apo mëngjes herët. Qielli kishte ngjyrë vjollcë. Trejnerkat e mia ngjyrë të kuqe. Ndodhesha e shtrirë mes shkurresh. Vjehërri më kish hedhur një xhaketë mbi shpinë.
       Ja kjo qe historia ime e ikjes. Nuk ka asgjë të veçantë për t’u rrëfyer. Diçka që do ju bënte të ndienit dhimbje e ta ndienit veten kaq të largët e kaq të pafuqishëm nga ajo që ndodhte atje. Unë nuk e pashë veten thuaj lakuriq nën atë xhaketën që seç më kish një parfum të njohur. I vinte si era pastërti. Po ndoshta kjo ishte vetëm imagjinata ime në atë mëngjes a mbasdite të ftohtë brisk.  Ai nuk mund të ishte parfumi i tim shoqi. As ajo xhaketë pak e gjakosur te jaka mbrapa nuk mund të ishte e tija.
       Kur dola nga shkurja, nuk e pashë Egzonin të qante mbi trupin e kunatës që nuk donte të zgjohej nga ai gjumë dreqi. Jo, jo. Unë mora Albinin në krahë që flinte rrëzë një peme tri metra më tutje kunatës dhe ia dhashë vjehërrit ta mbante, si i takonte rendi. Pastaj u çua edhe vjehërra. Kishte hedhur çeben e Albinit mbi shpatulla nga ku Micky Mouse mundohej të më bënte për të qeshur. Nuk ia pashë pantallonat e hinta të përlyera me dhe e me… nuk e di, nuk pashë asgjë përveç gjuhës që Micky Mouse e zgjaste sa herë vjeherra ime hidhte një hap. Një hap para meje, dy hapa pas vjehërrit. Kunatën e lamë aty. Nuk mund ta ngrinim dot edhe atë në gjumë. Le të flinte edhe pak vetëm.
    Burrat kishin ikur dikah për të kërkuar ndonjë ndihmë dhe kur të ktheheshin do ta merrnin edhe kunatën. Ajo ishte shumë më e lodhur se ne. Dasma jonë e kishte dërmuar fare. Kjo mund shpjegonte edhe gjithë atë gjumë të rëndë saqë nuk i ndjeu fëmijët kur ia morëm. Ishte shtrirë me bark poshtë dhe me flokë kish mbuluar gjithë fytyrën. Vjehërri i kishte hedhur një batanije sipër dhe ne nuk e trazuam.
      Nuk di pse po ju intereson historia ime. Kjo është vetëm një histori banale lufte. Nuk ka asgjë të veçantë. Ne e kaluam kufirin. Kujtoj që kishte mijëra të tjerë si ne që bënim të njëjtën rrugë. Kur kaluam në anën tjetër, filluan të na shpërndanin nëpër shtëpi të ndryshme. Unë qëllova të kisha pak më tepër fat. Më sollën në këtë shtëpi pushimi këtu buzë detit. Kam bërë edhe shoqëri e sa herë dua të rri vetëm, shkoj ja atje, atje ku përplasen valët dhe luaj me to. Kush e kap e para njëra-tjetrën pa e fundosur.
Kaloj shumë mirë vërtetë, vetëm se shpesh më merr malli për burrin. Që atë natë nuk e kam parë më. Sigurisht do ta kenë shpënë në ndonjë shtëpi tjetër e sa ta marrë vesh që jam këtu do të vijë të më marrë.
        Siç e shikoni, unë vërtetë nuk kam ndonjë arsye të fortë t’i urrej shkijet që na dëbuan prej shtëpie shkaku i zjarrit. As paramilitarët që na rrethuan në mes të rrugës natën në pyll kur sapo ishim ulur me marrë pak veten. Vjehërri u dha aq marka për kokë sa ata të na linin të qetë. Po, po. E mbaj mend shumë mirë kur vjehërri nxori dëngun me qindshe nga gjoksi dhe ia zgjati njërit prej tyre. Ata nuk na prekën me dorë. As mua, as kunatën, as vjeherrën. Ishte vetëm një ledinë ku ne u shtrimë për të fjetur. Asgjë nuk ndodhi. Madje as sharjet e as krismat nuk u dëgjuan kërkund. Nuk e dëgjova zërin e tim shoqi të ulërinte, as të vjerrës, as të kunatës, as të timin. Egzoni e Albini flinin. Asnjë qarje.
      Ishte vetëm një ikje banale, ju thashë.  Burri im do më gjejë, sikurse atë mbrëmje kur isha me Selvinë që më dalloi mes gjithë të tjerave. Ai do ma zgjasë krahun e djathtë e unë do t’ia mbështes kokën në gjoks. Ah, e njoh mirë atë parfum. Kur luaj me valët ndonjëherë më bëhet sikur e ndiej po atë erë. Pastërti. Për këtë i tregova edhe doktoresh Lules. Është njëra prej shoqeve që kam zënë këtu, por të gjithë e thërrasin doktoreshë se ajo vjen gjithnjë një mantel të bardhë, kështu bëj edhe unë.
E di ç’më tha doktoresh Lulja dje?
     Venera, atje tash është fikur zjarri dhe ti do ta ngresh sërish shtëpinë. E atë dreq paje, këtë herë nuk do ta marrësh me vete.

sabato 19 aprile 2014

Ne kurvat e gjimnazit



Po, ne ishim të gjitha kurva, edhe pse shumica ishim të virgjëra. Madje edhe Anila, fqinja dhe shoqja ime e bankës, që ende nuk i kishin ardhur menstruacionet, ishte kurvë. Dikush e kishte parë tek fliste te cepi i pallatit  me Ilirin,  të birin e shitëses së bulmetit, në një afërsi jo të pranueshme për vajzat e moshës sonë me djemtë, aq më tepër kur ishin më të rritur, si puna e Ilirit, që sapo e kishte mbaruar gjimnazin e ndihmonte  të ëmën në dyqan derisa t’i dilte e drejta e studimit, nëse kjo do të ndodhte vërtetë në gusht.
E drejta e studimit të dhurohej nga Komiteti i Partisë së Rrethit dhe ky ishte nderi me i madh që Partia e Punës po të besonte në atë kohë. Iliri, nëse Partia do ta kishte vlerësuar, do të shkonte në Tiranë, ku do të studionte në Degën që Komiteti kishte menduar se ishte më e përshtatshmja për të. Syrit vigjëlent të Partisë nuk i shpëtonte asgjë, ndaj edhe Iliri kur e pyesnin se për çfarë donte të studionte, përgjigjej prerë, ‘ata e dinë’ dhe shikonte majat e sandaleve nga ku dy gishtat e parë i preknin tokën, si për të protestuar ndaj rripave të ngushtë të plastikës që ndrydhnin këmbët e tij.
Anila ishte pak më shumë e padjallëzuar se ne të tjerat e kjo vërehej sa t’i hidhje sytë mbi gjoks, ku nuk kishte asnjë shenjë përpjekjeje për të nxjerrë kryet. Atë ditë i kishte kërkuar Ilirit librat e vjetër, të cilat tani me siguri që nuk i duheshin më. Ajo ishte fëmija e parë e pesë fëmijëve të familjes që jetonte një kat poshtë meje. E ëma i punonte si rrobaqepëse, ndërsa i ati ishte në pension invalidi, ishte dëmtuar rëndë në minierë e kishte mbetur gjysmë i paralizuar. Dukej që atyre fëmijëve iu mungonin shumë më tepër gjëra se ne të tjerëve. Jo që ne kishim sa të na tepronin, përkundrazi, nuk na tepronin kurrë, por ne edhe mund të mernim bukë me vezë të skuqura në eskursione, Anila… ah, Anila, zakonisht merrte bukë të thekur me dy pika vaj përsipër e ca kripë. Ndonjehere edhe ndonjë cope djathe.
Thoshte se kripa të forconte kockat dhe ajo ishte e detyruar të mbante këtë regjim të ashpër për arsye se kishte mbetur më e vogël në trup.  Në fakt në shtëpi e quanin Micka, po kështu edhe neve në lagje, por në shkollë Anila këmbëngulte se emri i saj ishte Anila, ndaj unë sa herë më shpëtonte goja e filloja Mi, e përtypja rrokjen shpejt e me siklet dhe e thërrisja Aniii. Kur ajo çelte sytë e kaltër nën ca qerpikë sterrë të zinj, mua më dukej sikur Anila ma kishte falur menjëherë rrokjen e ngrënë, sapo kishte dëgjuar tjetrën, që  fillonte lehtë prej qendrës së gojës së hapur maksimalisht pa asnjë tension me tingullin [a], pastaj bëhej e lëngësht në [n] e më në fund mbyllej më një [i] të përparme, të cilën unë e zgjasja me përkëdheli.
Shkurt, Anila atë ditë ishte këmbyer me Ilirin që po i shpinte në dyqanin e së ëmës dy arka me shishe qelqi dhe një kovë plastike mbi to. Ishte përplasur padashje, mu te cepi i pallatit me Anilën mickën, e cila kishte goditur ballin te arkat dhe kishte mbetur si e ngrirë në vend për pak çaste. Kova ishte rrëzuar dhe kishte marrë rrokullimën teposhtë rrugicës së kalldrëmtë. Iliri kishte lëshuar menjëherë dy arkat në tokë dhe ishte munduar të qetësonte Anilën. Ashtu kishin mbetur për pak minuta, thuaj të përqafuar, pastaj ishin ulur mbi arka dhe kishin biseduar. Pasi ishte qetësuar dhe Anilës i kishte pushuar gjaku nga gërvishja e lehtë në ballë, ajo e kishte pyetur Ilirin nëse i kishte ende librat e vitit të tretë dhe, nëse nuk i duheshin, mund t’ia jepte asaj për vitin që vinte.
Iliri ishte menduar pakëz, pastaj i kishte thënë që, edhe nëse nuk i kishte të gjithë librat, do t’i kërkonte nëpër shokë e do t’ia jepte Mickës. Gjithashtu do t’i jepte edhe gjithë shënimet e matematikës e fizikës që kishte mbajtur në gjashtë blloqe nga të mamasë që ia jepnin në punë, për gjatë dy viteve të fundit të shkollës. Anilës do t’i ndihmonin shumë, veçmas për provimet. Gëzimi i saj ishte i papërshkrueshëm, jo vetëm po e kursente familjen nga blerja e librave, por do kishte edhe gjithë ushtrimet e provimeve për dy vitet e ardhshme.
Këtë gëzim, thuaj lumturi të saj e kishte parë nga dritarja Nerimanja, infermierja e lagjes, që nuk i mbyllej goja tërë ditën. Për një javë të tërë Nerimanja e kishte stërholluar lumturinë e Anilës te çdo pacient që e kish mjekuar, aq sa një ditë, te muret e pallatit, sa dolëm me vrap në mëngjes për të shkuar në shkollë, mbetëm pa mend.
       Anila kurva. Anila dashnorja e Ilirit. Micka ia jep Ilirit të madh.
        Ç’ishte ky tmerr?! Ato shkronja të shtrembra dhe aq të pista, të shkruara me një laps kopjativ të shtrënguar fortë mbi murin e lyer para dy muajsh, që na kishte rënë pastaj bretku duke pastruar gëlqeren për një javë të tërë, ishin aq të pamëshirshme me atë madhësinë e tyre që të kallte datën. Shumë shpejt do dilnin të gjithë nga dyert dhe ja këtu, mu në koridorin përballë shkallëve do të shikonin këto shkronja përbindëshe. Boboo, ç’na gjeti!
Po Anila?! A do ketë shkuar në shkollë? Ajo gjithmonë nisej para meje, se shoqëronte dy motrat  në ciklin e ulët.  Nuk ma bëri zemra të trokisja te dera e saj. U nisa për shkollë me shpresë se Anila do të ishte nisur para se shkronjat përbindëshe të ishin ngjitur në mur.  Vrapova me sa fuqi kisha. Rrugës i lutesha fatit që të ishte, të paktën këtë herë, ashtu si e mendoja unë. Anila të ishte nisur para shkronjave. Kur të ktheheshim nga shkolla, dikush do t’i kishte fshirë ato përbindëshe që na rëndonin mbi gëlqeren e re.  Kur arrita te dera e klasës, vëç e ndieja trupin që nuk m’i duronte më rrobat. Para se të hapja pak përparësen e zezë të shkollës që mamaja e Anilës ma kishte qepur me pulla përpara,  hapa derën me shpejtësi.
Banka ime ishte bosh. I dynda sytë drejt fundit të klasës ku ishte një turmë vajzash që qeshnin, por Anila nuk ishte mes tyre. Nga njëra anë u gëzova. Ato vajza m’u dukën si korba të zgërlaqura mu në pikë të mëngjesit. Shikova edhe një herë nëpër korridorin e shkollës. Anila nuk ishte.
Në fakt Anila nuk erdhi atë ditë në shkollë. Mezi prisja ta mbaroja mësimin. Banka pa Mickën më dukej shumë e madhe. Sigurisht ajo kishte lexuar çdo gjë. Pastaj ishte kthyer mbrapa nga turpi. Motrat do të kishin shkuar vetë në shkollë. Asnjë nga ato nuk e kishte emrin Anila. As unë. Në fakt asnjë tjetër në pallat nuk e kishte emrin Anila. Vetëm ajo, Micka. Pastaj për punën me Ilirin më kishte treguar vetë. Ato fjalë të tmerrshme ishin vetëm për atë.
       Gjatë orës së matematikës nga mbrapa dëgjova Suzanën që i pëshpëriste Agronit ‘Epo kujt ia merrte mendja që edhe Micka të kishte dashnor?. ‘E vogël e vogël, po sherrin të madh’ ia ktheu ai. U ktheva instiktivisht mbrapa tërë inat. Doja t’jua kapja ato fjalë e t’jua gjuaja kokës. Sa të këqij jeni që flisni këto gjëra? Pse bëni sikur nuk e njihni Anilën? Por nga mbrapa u dëgjua tok-toku i matematikës. Ai e kishte zakon të godiste tavolinën sa herë dikush pëshpëriste e nëse nuk e merrje mesazhin, ai tok-tok të vinte mu mbi krye.
        Pushimi i madh ishte edhe më i tmerrshmëm. Anila nuk ishte këtu, por emri i saj ishte në thuaj çdo gojë që nyjëtonte tinguj ligjërimorë të kuptueshëm. Për fatin tim,  më të kuptueshëm kurrë s’kishin qenë. Ishte e kotë të provoje të diskutoje. Turma do të të hidhte mu në plehëra sa ora, nëse nuk ia mbaje ritmin. Më mirë të heshtja e të bëja sikur nuk kuptoja asnjë nga ata tinguj që më sëmbonin nga të gjitha anët.
       Si mund të fliste kështu edhe Valmira? Atë vetëm para tri javësh disa djem e gjuanin me gurë nga mbrapa kur kthehej nga shkolla. Ti moj, dashnore e Nexhatit, mos bëj sikur nuk kupton, me ty e kemi. Valmiraaaa. E Valmira nuk bënte vetëm sikur nuk kuptonte, por edhe sikur nuk dëgjonte e vetëm fliste më zë të lartë me shoqet e saj, si për ta mbytur zërin e atyre djemve që na prisnin në të dalë të shkollës. Ah sikur edhe  tani Valmira të bënte sikur nuk dëgjonte apo sikur nuk kuptonte. Do të ishte një gojë më pak në këtë lajthitje që ka marrë hov nga vetëm ca fjalë të shpifura që dikush i hodhi në erë.
      Ç’të ishte kjo marrëzi gojësh që nuk arrinin të gjenin një fre diku? Më tutje ishte Pranvera. E kishin fejuar që në fund të vitit të parë me një djalë që punonte në minierë. Ajo ishte eksperte për çdo histori dashurie që ndodhte në shkollë. Si të them, ajo jepte e sigurt mendimin e saj e madje këshillonte se cilët mund të ishin çiftet e mundshëm në shkollë. Kush me kë ishte më afër. Mjerë, mjerë kush binte në gojën e saj, se pa ta nxjerrë mirë bojën, nuk të lëshonte nga goja. Për çudi, të gjitha i bindeshin fjalëve të saj. Ishte një lloje kryetareje e zgjedhur unanimisht në heshtje.
      Pranvera ishte e vetmja që e pranonte që bënte seks. Lum ajo që është e fejuar, tha një ditë Drita. Pse? iu përgjigja unë. Ja moj, bën çfarë të dojë, vishet si të dojë, rri me kë të doje e askush nuk flet keq për të. Shiko ti ç’bluhet nëpër shkollë.
       Drita kishte të drejtë. Çdo javë njëra nga ne do ishte protagoniste e serisë së pafundme të vajzave që iu merrte koka erë. E kjo dreq ere dukej të ishte epidemi që sillej e pshtillej e fap e zinte ndonjë përfundi. Unë e kisha kaluar vitin e kalur. Taulanti ishte djali që ma luante zemrën, por nuk guxoja as t’ia përmendja dikujt. Edhe pse ishte e kotë. Syrit të Pranverës nuk i shpëtonte asgjë. Ajo me imtësi ndiqte çdo shikim të timin e disa herë në ditë më gjente mu te Taulanti. Kjo e lumturonte pa masë, sa një ditë nuk duroi më dhe këtë lumturi ua shpërndau edhe të tjerëve. Brenda pak orësh, unë isha shpallur e dashura e Taulantit. Edhe pse më vinte mjaft në siklet kjo gjë, hallin s’e kisha aty.  Por te ndryshimi i menjëhershëm i sjelljes së Taulantit ndaj meje. Ai filloi mos të më fliste më e të më largohej si ndaj dreqit. Më shtrëngonte aq fort në gjoks kjo punë, edhe pse një zbrazëti të madhe ndjeja aty brenda, por nga ana tjetër m’u kompesua disi, pasi shpejt fjalët për mua u harruan. Në klasën tjetër kishin kapur në flagrancë njërën me punëtorin e mirembajtjes së shkollës. Ah, kjo ishte vërtetë e madhe. U bë mbledhja e këshillit të shkollës dhe vajzën e përjashtuan njëzëri nga shkolla për sjellje të ulëta. Ndërsa me punëtorin nuk u morën fare. Atë ia dërguan menjëherë Degës së Punëve të Brendshme e që aty iu caktua direkt dita e gjyqit publik. Të gjitha ne do ta dëgjonim me veshë nga megafonat që vareshin në çdo qoshe përpara kinemasë si kishte ndodhur vërtetë historia, si kishte filluar, sa kohë vazhdonin takimet e tyre të fshehta mu përpara hundës sonë e çfarë bënin detajisht.
      Kjo e fundit pak m’i skuqte faqet. E ndieja vërtetë atë cipë nxehtësie se si ma merrte fytyrën e pastaj me një shpejtësi të pakontrollueshme zbriste të fshihej drejt gjoksit. Të paktën aty nuk e shihte dot njeri. Nuk dija në e nënçmoja më shumë atë vajzë për turpin e madh që kishte bërë apo e xhelozoja brenda teshave të mia. Kjo do të ishte një tjetër dilemë mes meje e meje për të cilën nuk do të flisja kurrë me askënd. Qyteti im nuk i duronte dilemat. Këtë e dija mirë.
      Po Micka, a po luftonte edhe Micka tani me dilemat e saj? Pse e takoi Ilirin? Pse u ul të bisedonte me të? Pse mori guximin t’ia kërkonte librat? Pse dreqin kaloi aty në atë kohë e nuk ndenji të mbaronte ushtrimet e kimisë? Pse ta kishin marrë aq për të keq atë takim aq më tepër kur ajo nuk kishte ndjerë asnjë lloj nxehtësie në atë kohë përveç dhimbjes së përplasjes në ballë?
Nuk pata guxim të trokisja te dera e Mickës kur u ktheva nga shkolla. Nuk e përballoja dot shikimin dëshpërues te babait të saj, nuk e shikoja dot Mickën në fytyrë, me dukej vetja tradhëtare që kisha dëgjuar gjithë ato fjalë jashtë në heshtje të plotë. Atë mbasdite nuk dola gati fare nga dhoma ime. Për fatin edhe ime ëmë punonte ndërrimi i natës në furrë e askush nuk ma kishte ngenë. Shikoja herë pas here nga ballkoni mos po shihja ndonjë gjë nga dritarja e dhomës së Mickës, por drita qëndronte e fikur dhe dukej sikur askush nuk ishte brenda. Rreth mbrëmjes zbrita shkallët e pallatit dalë nga dalë dhe u afrova te dera e Mickës. Edhe po ta hapte dikush derën do të thosha se kisha ardhur për t’i dhënë detyrat asaj. Afrova faqen lehtë. Të ecura nëpër koridor dhe zërat e motrave të vogla që grindeshin me vëllain. I ati, me atë zërin e qetë e shumë të lodhur, që i luste për qetësi. Nga Micka asgjë. U ngjita sërish në shtëpinë time. Ndeza radion e shëtisja nëpër stacione sa për të bërë zhurmë. Diku flitej për luftën në Palestinë. Vajta të merrja hartën e ta shikoja mire ku ndodhej e si  mund të bëhej gjithë ajo luftë e palodhur brenda të njëtit qytet.
      Nga qyteza ime kjo dukej e vështirë për t’u imagjinuar. Ne njiheshim të tërë e ishim aq të thjeshtë sa fjalët shpesh ishin të tepërta për  t’u marrë vesh me njeri-tjetrin. Mjaftonin sytë e shpesh edhe falë tyre na zhvishnin përballë të tjerëve. Unë kisha filluar të isha më e kujdesshme me sytë e mi.  Kisha mësuar të mos i hidhja kudo. Të paktën pa qenë e sigurt se askush nuk po më shikonte.
      Ndërsa kërkoja të kuptoja ndarjen mes Izraelit e Palestinës u dëgjua një e trokitur e fortë në derë. Vrapova me zemër të ngrirë. Pas derës ishte vëllai i vogël i Mickës me sy si të shqyer. ‘Zbrit shpejt, tha babi. Shpejt te ne! Vesha një palë nallane që mbanim jashtë te dera e i zbrita shkallët dy e nga dy.  Dera ishte tej për tej e hapur dhe këmbët më shpunë drejt te dera e Anilës. E ëma e mbante në krahë dhe e shkundtte nga të gjitha anët. Anilaaaaa
       Ishte pa ndjenja. Shpejt ta çojmë në spital! Ka pirë ilaçet e të atit. Qyqja unë për time bijë! E morëm me një batanije pambuku dhe u nisëm me vrap për në spital. Për fat qyteza ishte shumë e vogël e spitali ndodhej një kilometër afër. Rrugës na u afruan disa burra dhe na e morën Mickën nga duart pa na pyetur fare. Unë ia krisa vrapit të mbërija e para që të lajmëroja për rastin. Një nallane veç më kishte rënë gjatë rrugës, kështu që edhe tjetrën e kisha lëshuar menjëherë në tokë. Zbathur vrapoja më shpejt.
     Te dera e spitalit i thashë rojes ‘Urgjent, po vjen një vajzë e helmuar’. Ai ma bëri me shenjë të shkoja pas tij e më shpuri drejt te zyra infermierisë.
‘Urgjent, po vjen një rast me helmin! U tha dy bluzave të bardha që kishin vënë këmbët të ngroheshin te një furnellë e vogël elektrike.
‘Po, është Mi.. Anila, komshija ime, tani do jenë te porta duke e sjellë.’ Shtova unë dhe fjala më mbeti në grykë kur pashë fytyrën e infermieres. Ishte ajo. Nerimanja.


    Të nesërmen, gjithë qyteti ishte për vizitë në pallatin tonë, gjithë shkolla, vajzat e klasës, të cilave si gjithmonë u printe Pranvera, për t’i dhënë lamtumirën e fundit Mickës që s’pati kohë të rritej. Mes tyre edhe Nerimanja me rroba sterrë të zeza kokë e këmbë.